BB: Shqipëria duhet të reformojë urgjentisht transportin për të mos humbur rritjen ekonomike
Banka Botërore paralajmëron se pa reforma të shpejta dhe investime më efikase në transport, Shqipëria rrezikon të humbasë potencialin e rritjes ekonomike, tregtisë dhe turizmit.

Sektori i transportit në Shqipëri vijon të përballet me sfida të thella strukturore, të cilat po kufizojnë ndjeshëm zhvillimin ekonomik dhe konkurrueshmërinë e vendit. Raporti i fundit i Bankës Botërore thekson se, ndonëse shpenzimet publike për infrastrukturën e transportit janë ndër më të lartat në rajon, problematikat e akumuluara ndër vite tregojnë mungesë efikasiteti dhe cilësie të qëndrueshme të shërbimit.
Sipas raportit, rreth 7.5 për qind e shpenzimeve buxhetore i dedikohen transportit, ku afro 80 për qind shkojnë për rrugët. Megjithatë, rrjeti rrugor prej rreth 15 mijë kilometrash, që përballon 98 për qind të trafikut të brendshëm të pasagjerëve, mbetet i amortizuar, veçanërisht në zonat rurale dhe në lidhjet rajonale, për shkak të standardeve të dobëta të mirëmbajtjes dhe mungesës së parametrave bashkëkohorë të sigurisë.
Presioni i automjeteve dhe ndotja urbane
Raporti evidenton se rritja e numrit të automjeteve me mbi 114 për qind në periudhën 2013–2023 ka ushtruar trysni të fortë mbi infrastrukturën ekzistuese. Flota e vjetëruar, ku rreth 90 për qind e mjeteve janë mbi 10 vjet të vjetra, ka përkeqësuar ndjeshëm ndotjen urbane, trafikun, zhurmën dhe konsumin e karburanteve.
Këta faktorë e rendisin Shqipërinë ndër vendet me sfida serioze mjedisore në sektorin e transportit. Transporti është sektori i dytë më i madh emetues në vend, duke kontribuar me rreth 22 për qind të totalit të emetimeve.
Hekurudhat dhe transporti detar
Infrastruktura hekurudhore paraqet një tjetër dobësi të rëndësishme, pasi mbi 70 për qind e linjave janë në gjendje të degraduar, duke kufizuar shpejtësinë, cilësinë e shërbimit dhe integrimin rajonal. Ndërkohë, transporti detar, që përpunon rreth 55 për qind të volumit të mallrave, kërkon modernizim të vazhdueshëm për t’u përshtatur me flukset tregtare në rritje.
Rreziqet klimatike dhe kostoja ekonomike
Raporti nënvizon edhe cenueshmërinë e lartë ndaj ndryshimeve klimatike. Përmbytjet e shpeshta në korridore kryesore si Tiranë–Durrës dhe Durrës–Vlorë shkaktojnë humbje vjetore rreth 15 milionë dollarë, ndërsa dëmtimet e urave dhe pritave sjellin mbi 20 milionë dollarë kosto shtesë çdo vit.
Potenciali i pashfrytëzuar dhe rekomandimet
Banka Botërore vlerëson se Shqipëria mund të arrijë rezultate dukshëm më të larta nga niveli aktual i shpenzimeve, nëse investimet menaxhohen më me efikasitet. Optimizimi i investimeve ekzistuese mund të përmirësonte rezultatet e infrastrukturës me 18.6 për qind dhe cilësinë e rrugëve me rreth 29 pikë përqindje.
Sipas raportit, rritja e efikasitetit të kapitalit publik do të sillte një kontribut prej 0.1 pikë përqindjeje në rritjen e PBB-së për frymë në periudhën 2026–2050, duke përmirësuar zhvillimin afatgjatë ekonomik.
Në afatshkurtër rekomandohet krijimi i një buxheti të dedikuar për mirëmbajtjen e urave dhe rrugëve, forcimi i standardeve të sigurisë, rritja e transparencës në importet e automjeteve të përdorura dhe ruajtja e taksave të larta mbi karburantet fosile. Në afatgjatë kërkohet mobilizimi i investimeve private në hekurudha, nxitja e mobilitetit të gjelbër urban dhe ndërtimi i një kuadri të qartë për infrastrukturën e karikimit.
Sipas Bankës Botërore, vetëm një kombinim reformash institucionale, investimesh efikase dhe politikash të qëndrueshme mund ta kthejë sektorin e transportit në një motor real të zhvillimit ekonomik në Shqipëri.
Burimi: ekofin.al
Më të lexuarat






